Maqedonia e Veriut planifikon lehtësimin e masave kufizuese nga fillimi i muajit maj

Maqedonia e Veriut nga fillimi i muajit maj do të nis me lehtësimin e masave shtrënguese kundër koronavirusit.

“Ne po bëjmë një plan serioz, që pas 1 majit, të nisim me lehtësimin e disa prej masave, të cilat do të jenë në funksion të kthimit të jetës në normalitet”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipce dhe disa ministra të tjerë mbajtën konferencën e parë për media përmes një platforme interneti pasi të gjithë janë në vetizolim shtëpiak.

Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipce ka dhënë vlerësime pozitive për masat që janë ndërmarrë në luftën kundër koronavirusit, por që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen deri në kapërcimin e gjendjes së rëndë. Por, ai ka bërë të ditur se edhe pas lehtësimit të masave do të kërkohet kujdes maksimal dhe përgjegjësi nga secili prej qytetarëve.

“Dua të informoj qytetarët se pas stuhisë vjen dielli. Është e qartë se pas gjithë kësaj jeta e secilit prej nesh, e të gjitha institucioneve, do të ndryshojë … edhe kur të lehtësohen masat, kuptohet se tregjet, restorantet dhe kafenetë do të punojnë në një distancë, do të punojnë me kujdes. Nuk do të jetë më njësoj, por unë besoj se të gjithë qytetarët tani më janë të vetëdijshëm për atë që po bëjmë, që këtë gjendje ta përballojmë në mënyrë që mbi të gjitha të ruajmë shëndetin”, ka deklaruar Ministri i Shëndetësisë, Ministri Venko Filipce.

Në raportin e Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë orëve të kaluara janë regjistruar 53 raste të reja me koronavirus, por për herë të parë nuk janë regjistruar viktima, që mbeten në shifrën e 49 të vdekur. Ndërkohë numri i të infektuar ka arritur në 1,170.

SHKARKO APP