Maqedonia e Veriut tronditet sërish nga përgjimet, përfshihet edhe Zaev
Politika e Maqedonisë së Veriut vijon të goditet nga publikimet e përgjimeve teksa vendi pritet të shkojë në zgjedhje.
Në kanalin YouTube nga përdoruesi “Brane Kapital” është publikuar një bisedë e ish-kryeministrit Zoran Zaev me Aleksandar Verushevski, nga viti 2016. Në të Zaev dëgjohet të thotë se ka kapital personal prej 8.5 milionë eurosh.
E gjithë biseda është 2 orë, kurse deri më tani janë publikuar vetëm disa pjesë. Në këto biseda Zaevi gjithashtu thotë se nuk ka nevojë për përkrahjen e ish-kryetarit të LSDM-së Branko Cërvenkovski dhe se ai he njerëzit e tij tashmë nuk kanë asnjë ndikim.
Përveç bisedave të Zaevit, ditëve të kaluara janë publikuar edhe biseda të kryetarit të VMRO/DPMNE-së, Hristijan Mickoski. Në to Mickoski dëgjohet të thotë se ka marrë përkrahje financiare nga biznesmenë të njohur dhe se ka punuar për rrënimin e Prokurorisë Speciale Publike.
Publikimi i përgjimeve në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar kriza të thella politike. Në vitin 2015 kryetari i LSDM-së, në atë kohë në opozitë, Zoran Zaev, filloi publikimin e përgjimeve për kryeministrin e atëhershëm Nikola Gruevski dhe bashkëpunëtorët e tij.
Si pasojë u formua Prokuroria Speciale e cila do të hetonte përgjime. Ish-kryeministri Gruevski u arratis nga vendi dhe u strehua në Hungari.
Vitin e kaluar, Prokuroria Speciale u shua për shkak të përfshirjes së kreut të saj, Katica Janeva, në aferë të madhe korruptive. Janeva u dënuar muajin e kaluar me 7 vite burg.