Maqedonia shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Qeveria maqedonase dekretoi sot gjendjen e jashtëzakonshme, veçanërisht në jug të vendit përballur me një fluks imigrantësh të ardhur nga Greqia të cilët dëshirojnë të kalojnë në Evropën perëndimore dhe do të angazhojë forcat e armatosura për të ndihmuar në menaxhimin e krizës.
“Për shkak të një presioni në rritje në kufirin jugor dhe një emigrimi të intensifikuar në korridorin ballkanik, një kontoll më i madh dhe më efikas është i nevojshëm në zonën kufitare, ku janë regjistruar kalime të paligjshme masive me prejardhje nga Greqia”, theksoi qeveria në një komunikatë.
Kujtojmë se më shumë se 4 mijë emigrantë kanë bllokuar hekurudhën Selanik- Shkup, në pjesën e kufirit me Maqedoninë. Për shkak të kësaj situate, në territorin grek janë bllokuar një tren udhëtarësh dhe një tren mallrash.
Në zonën kufitare midis dy vendeve janë grumbulluar mbi 3 mijë emigrantë , të cilët po tentojnë të hyjnë në Maqedoni, por që janë të penguar nga njësitet speciale të Maqedonisë.
Policia po pengon turmat e emigrantëve për të hyrë në territorin e Maqedonisë. Në zonën kufitare ka mbërritur edhe njësia speciale greke e cila ka informuar për situatën në anën greke të kufirit.
Mijëra emigrantët, kryesisht të rinj të moshave prej 20 deri 30 vjeç synojnë që përmes Maqedonisë të shkojnë në Serbi dhe më pas në vendet evroperëndimore.