Marrëveshja e Astanasë për Sirinë: U hapet rruga bisedimeve të Gjenevës
Bisedimet për procesin e paqes në Siri, mes tre vendeve garantuese: Rusi, Turqi dhe Iran përfunduan sot në Kazakistan, përmes lëshimit të një deklarate të përbashkët mbi vendosjen e mbështetjes trepalëshe për armëpushimin në Siri dhe duke u hapur kështu rrugën bisedimeve të Gjenevës, më 8 shkurt.
Rusia, Irani dhe Turqia kanë njoftuar se do të krijojnë një mekanizëm tripalësh për të mbështetur armëpushimin në Siri. Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar në fund të bisedimeve mbajtur në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, ata thanë konkretisht se opozita siriane ka rënë dakord për të marrë pjesë në bisedimet e paqes të planifikuara pwr t’u mbajtur në Gjenevë të Zvicrës.
“Delegacionet e Republikës Islamike të Iranit, Federatës Ruse dhe Republikës së Turqisë mbështesin nisjen e bisedimeve mes qeverisë së Republikës Arabe të Sirisë dhe opozitës së armatosur në Astana në 23-24 janar 2017,” thuhet në deklaratën e përbashkët të së martës.
Moska, Teherani dhe Ankaraja më tej “shprehin bindjen e tyre se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin sirian dhe se ai mund të zgjidhet vetëm përmes një procesi politik”.
Palët ranë gjithashtu dakord që së bashku të luftojnë terroristët e Shtetit Islamik, i cili së bashku me Jabhat Fateh Shamit (ish-frontin Al-Nusra) nuk janë përfshirë në negociata. Treshja sugjeron gjithashtu ndarjen e terroristëve nga grupet opozitare siriane të armatosura dhe përshëndeti zbatimin e Rezolutës 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi krizën siriane, e cila u miratua në dhjetor të vitit 2015.
Rusia, Irani dhe Turqia pohuan nga ana tjetër se ato mbështesin vullnetin e grupeve të armatosura opozitare për të marrë pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve, të cilat janë planifikuar për t’u mbajtur më 8 shkurt në Gjenevë.
Nga ana e tij, kreu i delegacionit rus në Astana, Aleksandr Lavrentiev, tha se grupi trepalësh operativ për të monitoruar armëpushimin do të fillojë punën e tij në muajin shkurt. Teksa shtoi se përfaqësuesit e grupeve të armatosura opozitare do të ftohen për të punuar së bashku me këtë grup.
Në të njëjtën kohë, ai theksoi rëndësinë e verifikimit të shpejtë në lidhje me shkeljet dhe shtoi se shumë raporte mbi çështje të tilla janë të fabrikuara.
Kurse nga ana e tij, ambasadori sirian në OKB, Bashar Xhafari u tha gazetarëve se ishte “shumë e dhimbshme” për delegacionin e Damaskut zyrtar që të ulej në të njëjtën dhomë me grupet siriane të armatosura të cilat sipas tij, kanë kryer akte terroriste. Ai shtoi gjithashtu se kjo nuk ishte hera e parë që ata ishin takuar dhe se qeveria e kishte ndërmarrë këtë hap pikërisht për hir të popullit sirian.
KOHA JONË SONDAZH

