Marrëveshja e Ohrit, ja si e kanë vlerësuar politikanët
Pozita e rëndë e shqiptarëve në Maqedoni, diskriminimi i tyre i vazhdueshëm, disa herë ka hapur dilemën dhe debatin se, a është realizuar Marrëveshja e Ohrit, sa është funksionale ajo. Përfaqësuesit e partive politike, diplomatë të huaj dhe shumë intelektual tjerë kanë shprehur mendime të ndryshme rreth kësaj marrëveshje me të cilën përfundoi konflikti i vitit të 2001 mes UÇK-së dhe Armatës së Maqedonisë.
Bamir Topi
“Implementimi sa më i plotë dhe më korrekt i Marrëveshjes së Ohrit do të krijojë të gjitha kushtet që edhe popullsia shqiptare në Maqedoni të gëzojë të gjithë të drejtat dhe do ti shërbejë një stabiliteti të Maqedonisë dhe perspektivës të këtij vendi mik në integrimin euroatlantik”.
Sali Berisha
“Zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit duhet të ndodh, dhe zgjidhja e çështjeve të tjera të mbetura në këtë kuadër është thelbësore për paqen, stabilitetin dhe mirëkuptimin e bashkëpunimin ndëretnik në Maqedoni”
Filip Riker
“Në fillim të vitit 2001 Maqedonia ka qenë në prag të luftës civile, ndërsa dhjetë vite më vonë në pjesën më të madhe, falë Marrëveshjes së Ohrit ajo është shtet stabil, multikulturor, multietnik dhe multireligjioz”
Xhejms Perdju
“Marrëveshja e Ohrit nuk është marrëveshje e përkryer dhe implementimi nuk është i përkryer, por mendoj se maqedonasit duhet të jenë krenar për të, gjithashtu edhe shqiptarë, për shkak se sipas statistikave unë shoh se gjendja e tyre është përparuese në Maqedoni”.
Gjorgje Ivanov
“Unë jam krenar me modelin e plotësimit të demokracisë multietnike, bashkëjetesës dhe tolerancës, përmes Marrëveshjes së Ohrit, e cila legjitimoi traditën tonë shekullore”.
Ali Ahmeti
“Jo një herë është thënë se rruga për integrimet në NATO dhe BE kalon nëpër Ohër, andaj nuk mund të nënvlerësohet dhe të anashkalohet një marrëveshje e tillë, e cila është një model edhe për rajonin se si funksionon shteti multi-etnik”.
Menduh Thaçi
“Janë dhjetë vjet argument shumë i madh se Marrëveshja e Ohrit është jofunksionale. E dyta, unë kam qenë negociatori kryesor i këtij dokumenti kornizë dhe kur e shoh në këtë dimension kohor, s’është aspak turp të konstatoj se kemi gabuar.
Për mua është turp nëse vazhdohet në atë rrugë, e cila nuk sjell kurrfarë suksesi.
Dhe e treta, mendoj se ne duhet patjetër, në mënyrë të saktë, t’i precizojmë kompetencat tona shtetërore brenda Maqedonisë. Pa qenë ne si shqiptarë në pozicionet vendimmarrëse, nuk kemi gjasa ta përmirësojmë statusin ton”.
Rufi Osmani
‘Kemi nevojë edhe njëherë të shqyrtojmë marrëdhëniet tona të ndërsjella dhe gjitha kjo të jetë me aspirata për stabilizimin e vendit, prosperitet të mëtejmë dhe definimin e këtyre marrëdhënieve, sepse askush nuk mund të garantojë se Marrëveshja e Ohrit do të ishte edhe pranueshme edhe për gjeneratat e ardhshme, duke marrë parasysh të gjitha mangësitë që janë të dukshme dhe që janë të konstatuara nga partnerët e brendshëm dhe të jashtëm.Marrëveshja e Ohrit pas dhjetë viteve na sjellë në një konstatim se ka shumë punë që shkojnë në favor të majorizimit të shqiptarëve në Maqedoni”.
Arben Xhaferi
“Marrëveshja e Ohrit në mënyrë brutale nuk është realizuar sidomos në ato pika kryesore që e bënë këtë marrëveshje të jetë zgjidhje e konfliktit të vitit 2001. Në rend të parë e kam fjalën për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe pastaj për decentralizimin dhe përfaqësimin adekuat, sidomos në aneksin C, ku flet për rregullimin e statusit të pjesëmarrësve të konfliktit të vitit 2001. Të gjitha këto në mënyrë të egër politikisht u shkelën”
Veton Surroi
“Marrëveshja e Ohrit në Maqedoni gjatë dhjetë viteve të fundit, në mungesë vizioni historik nga faktori maqedonas dhe mungesë konsistence nga faktori shqiptar është zvetënuar në negociata të përditshmërisë”.