Marrëveshje Britani-Francë kundër emigracionit të paligjshëm

Britania dhe Franca të shtunën nënshkruan një marrëveshje që synon t’i japë fund imigracionit të paligjshëm përmes kanalit që lidh këto dy vende.

Duke filluar nga 1 dhjetori, patrullat në plazhet franceze do të dyfishohen dhe teknologji të sofistikuara, përfshirë dronët dhe radarët, do të përdoren për të zbuluar vendkalimet e mundshme të emigrantëve, tha sekretarja britanike e punëve të brendshme, Priti Patel.

Zonja Patel tha se marrëveshja do të ndihmonte të dyja vendet që “t’i bënin kalimet përmes kanalit plotësisht të pamundshme”.

Ajo tha në 10 vitet e kaluara Britania i kishte dhënë Francës gati 200 milionë dollarë për të trajtuar çështjen e imigracionit.

Më shumë se 6,000 njerëz u përpoqën të kalonin kanalin që lidh Francën me Britaninë nga 1 janari deri në gusht të këtij viti.

Autoritetet franceze kanë thënë se në shtator ata kishin kapur më shumë se 1,300 njerëz duke u përpjekur të shkonin në Britani.

Shtatë njerëz kanë vdekur deri më tani këtë vit gjatë përpjekjeve për të hyrë në Britani, ndërsa katër njerëz të tjerë humbën jetën në përpjekje të ngjashme gjatë vitit të kaluar. /VOA/

SHKARKO APP