Marrja e shtetit me forcë, qytetarët: Kemi frikë të protestojmë
Një ditë pasi ushtria birmane mori nën kontroll shtetin e Mianmarit, aktorët e jashtëm e kanë dënuar grushtin ushtarak dhe arrestimin e ish-udhëheqësve politikë.
Presidenti amerikan, Xho Bajden, i bëri apel komunitetit ndërkombëtar që të kërkojnë të gjithë dorëzimin e pushtetit nga ushtria ose të përgatitin sanksionet për klasën e re politike.
“Dekadën e shkuar SHBA-ja i hoqi sanksionet ndaj Birmanisë duke u bazuar te përparimi i saj drejt demokracisë. Zmbrapsja në fjalë na detyron që ta rishohim atë vendim dhe të marrim veprime të menjëhershme,” deklaroi zëdhënjësja e Shtëpisë së Bardhë.
Pas bastisjeve të së hënës, raportohet se ish-kryeqeveritarja, Aun San Su Çi, dhe presidentja e vendit, janë vendosur nën arrest shtëpiak.
Forcat birmane të sigurisë, ndërkaq, kanë blinduar kryeqytetin, duke mos u lënë shteg protestave kundër tyre apo në mbështetje të qeverisë së mëparshme.
“Nuk e prisnim grushtin e shtetit. Nuk e njohim as qeverinë e re të caktuar nga ushtria sepse e kemi tonën. Kemi 72 orë që presim dhe askush nuk po del të protestojë në rrugë.”
“Mund të them thjesht që më vjen keq. Nuk do guxoja të thosha që nuk e pranoj grushtin e shtetit. Jemi të trembur. Ia kam frikën ushtrisë.”
Ushtria birmane ka hequr të 24 ministrat e qeverisë së mëparshme dhe ka vendosur për një vit gjendjen e jashtëzakonshme.
Udhëheqësit ushtarakë thonë se u detyruan të ndërhyjnë me forcë pasi ekzekutivi i shkuar i manipuloi zgjedhjet parlamentare të nëntorit të kaluar dhe po e mbante pa të drejtë pushtetin.