Mbretëria e Bashkuar ka injektuar më shumë se 5 milionë njerëz me dozat e dyta të vaksinës
Më shumë se pesë milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar janë vaksinuar me dozat e dyta të vaksinës kundër coronavirusit.
Sipas shifrave të qeverisë deri më datën 2 prill, numri i njerëzve që morën dozat e dyta ka tejkaluar shifrën prej 5.2 milionë, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të imunizimeve në më shumë se 36 milion, raporton The Guardian, përcjell Telegrafi.
“Ne kemi arritur një tjetër moment historik në programin tonë të vaksinimit, me mbi pesë milionë njerëz të vaksinuar me nga dy doza”, tha kryeministri britanik, Boris Johnson.
“Unë i nxis të gjithë njerëzit t’i marrin dozat e dyta, sa më shpejt që t’ju ofrohet atyre”, deklaroi ai.
Ndryshe, Mbretëria e Bashkuar ka regjistruar 4.3 milionë raste si pasojë e COVID-19 si dhe 127 mijë viktima, bazuar në të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.