Më pak vdekje në botë! Shpërthen koronavirusi në Rusi, më shumë të infektuar se Italia
Në kohën kur në Europën Perëndimore nisi faza dy e pandemisë dhe lehtësimi i masave, Rusia përballet me një shpërthim të virusit. Vendi ka tani më shumë të infektuar se Italia, mbi 220 mijë, por shënon më pak vdekje. Rusia aktualisht figuron e treta në botë për nivelin e infektimeve pas Shteteve të Bashkuara dhe Spanjës.
Vetëm katër ditë më parë, ajo ishte e pesta në listë, por për shkak të rritjes së papritur të numrit të pacientëve, kapërceu Italinë dhe Britaninë e Madhe. 11,600 raste të reja u regjistruan vetëm 24 orët e fundit. Bilanci i viktimave është mbi 2.000. Në Shtetet e Bashkuara sakaq, sëmundja po jep shenja frenimi. 776 vdekje u shënuan atje në një ditë, shifra më e ulët kjo që prej muajit mars.
Rekord infektimesh pati dhe në Indinë e lavdëruar për menaxhimin e epidemisë. Në një ditë te vetme, atje regjistroi më shumë se 4.200 raste të reja. Fakti qe Iran Air do të rinisë në 14 maj fluturimet drejt Amsterdamit pas ndërprerjes për shkak të koronavirusit, dëshmon se gjendja atje konsiderohet më e qetë. Edhe në Izrael, të dhënat e fundit flasin për një stabilizim të situatës e përhapja e sëmundjes, për momentin, duket nën kontroll.