Më shumë se gjysmë milioni të vdekur në Brazil nga Covid-19

Presidenti Bolsonaro thotë se pandemia nuk është e rrezikshme, por kjo është në kundërshtim me shifrat. Në Brazil janë regjistruar më shumë se gjysmë milionë të vdekur nga virusi Corona.

Në Brazil nuk ekziston shtabi i krizës në luftën kundër virusit Corona. Ndaj ministrit të Shëndetësisë Marcelo Queiroga tani iu desh që vet të njoftojë opinionin publik se deri tani janë regjistruar më shumë se 500.000 viktima nga sëmundja COVID-19. Ministri e siguroi presidentin dhe opinionin përmes një mesazhi në Twitter se ai ishte duke punuar pa u lodhur për të siguruar që të gjithë brazilianët të vaksinoheshin në kohën më të shkurtër të mundshme.

Kombi me 210 milionë banorë raportoi se ditët e kaluara sërish është tejkaluar shifra e vdekjeve nga virusi Corona brenda ditës prej më shumë se 2.000 vetë. Nëse gjërat vazhdojnë me këtë ritëm,Brazili së shpejti do ta tejkalojë SHBA-në si vendi me numrin më të madh të vdekjeve nga virusi Corona, thonë ekspertët atje. Në Shtetet e Bashkuara kanë vdekur deri tani rreth 600.000 njerëz nga sëmundja COVID-19, apo si pasojë e virusit Corona.

Nga zemërimi me politikën ndaj virusit Corona të presidentit djathtist populist Jair Bolsonaro, dhjetëra mijëra njerëz dolën përsëri në rrugë në fundjavë. Në kryeqytetin Brazilia dhe në 14 kryeqytete provinciale, ata bënë thirrje që Bolsonaro të jepte dorëheqjen. Ata kërkuan më shumë vaksinime dhe mbështetje ekonomike në krizën e Coronës, si dhe përpjekje më të mëdha në luftën kundër urisë dhe respektimin e të drejtave të popujve indigjenë.

Ekspertët janë të shqetësuar me numrin e lartë të infektimeve të reja në Brazil: me 98.135 raste brenda 24 orëve, një rekord absolut ditor u vendos të premten. Mikrobiologia Natalia Pasternak thotë se për shkak të fushatës së ngadaltë të vaksinimit – deri më tani vetëm njëmbëdhjetë përqind e të rriturve janë vaksinuar plotësisht – është e vështirë të bëhet një parashikim për rrjedhën e mëtejshme të pandemisë.

Ekspertët thonë se përgjegjësinë e ka qeveria e Bolsonaros

Për shkencëtaren, përgjegjësia për vdekjet masive i takon qeverisë Bolsonaro. “Ajo që shkoi keq këtu në Brazil ishte mënyra se si menaxhoi pandeminë kjo qeveri, e cila mohon njohuritë rreth virusit Corona. Kjo qeveri është plotësisht e papërgatitur dhe po e ndihmon përhapjen e virusit.”

Presidenti djathtist populist gjithmonë e ka minimizuar rrezikun nga virusi. Ai ka sabotuar masat nga kryetarët e bashkive dhe guvernatorët, e madje ka kërcënuar me përdorimin e ushtrisë për t’i dhënë fund masave kufizuese. Të enjten ai tha se infektimet me virusin Corona kanë rezultuar me një imunizim më efektiv sesa vaksinimet. Për të luftuar sëmundjen, ai ende rekomandon klorokinën që përdoren kundër malarias si dhe një mjet kundër krimbave.

Ndërkohë një komision paralamentar po heton sjelljen e qeverisë në kohën e pandemisë. Tanimë dihet, se Bolsonaro ka injoruar disa oferta nga BioNTech/Pfizer për miliona doza vaksinash në mes të vitit 2020. Qeveria ka filluar seriozisht të angazhohet për sigurimin e vaksinave në mars të këtij viti, pra një vit pas shpërthimit të pandemisë.

SHKARKO APP