Merkel refuzon ftesën e Trump-it për Samitin e G7-ës në Uashington

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka refuzuar ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump për të marrë pjesë në samitin e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), në Shtetet e Bashkuara.

“Kancelarja federale falënderon presidentin Trump për ftesën e tij në Samitin e G7-ës në fund të muajit qershor në Uashington”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Seibert, sipas mediumit Politico.

“Marrë parasysh situatën me pandeminë, ajo nuk është pajtuar për pjesëmarrje personale dhe udhëtim drejt Uashingtonit. Ajo natyrisht se do të vazhdojë të vëzhgojë zhvillimet rreth pandemisë”, ka thënë mes tjerash Seibert.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më 26 maj se Trump beson se nuk mund të ketë “shembull më të mirë të rihapjes” së ekonomisë, pas izolimit të shkaktuar nga koronavirusi, sesa mbajtja e Samitit G7, në Shtetet e Bashkuara, në fund të muajit qershor.

Deri më tani janë shënuar 371 mijë viktima nga Covid-19 në të gjithë botën dhe janë infektuar mbi 6.1 milion.

SHKARKO APP