Merkel takohet me Putin: Irani s’duhet të ketë armë bërthamore, të respektohet marrëveshja
Kancelarja gjermane Angela Merkel përsëriti të shtunën thirrjen drejtuar të gjitha palëve që respektojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Pak ditë më parë Teherani njoftoi se do të tërhiqet edhe më tej nga angazhimet në kuadër të marrëveshjes, duke pasuruar uranium pa kufizime.
Sipas një marrëveshje të ndërmjetësuar në 2015-n, Irani ra dakort me Kinën, Francën, Gjermaninë, Rusisë, Britaninë dhe Shtetet e Bashkuara
që të kufizojë programin e tij bërthamor.
“Ne u pajtuam që të bëjmë gjithçka për të ruajtur marrëveshjen. Gjermania është e bindur që Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore“, tha zonja Merkel gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin Rus Vladimir Putin në Moskë ditën e shtunë.
“Për këtë arsye ne do të vazhdojmë të gjitha përpjekjet diplomatike për ta mbajtur gjallë këtë marrëveshje, që sigurisht nuk është perfekte, por është një marrëveshje dhe përfshin angazhime nga të gjitha palët“, siç tha ajo.
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat të premten vendosën saksioneve të reja ekonomike ndaj Iranit, evropianët i kanë dhënë Teheranit më shumë
kohë për të shmangur prodhimin e armëve bërthamore nga ana e tij.
Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri të ditur gjithashtu se bisedimet për paqe në Libi do të mbahen në Berlin, në një kohë kur si Ankaraja ashtu si dhe Moska u kanë bërë thirrje fraksioneve ndërluftuese atje që të arrijnë një marrëveshje armëpushimi. Zonja Merkel tha “se shpresojmë që përpjekjet e përbashkëta nga Rusia e Turqia të jenë të suksesshme dhe se së shpejti do të dërgohen ftesat për një konferencë në Berlin“.
/VOA