Michel: Situata mes Kosovës e Serbisë është problem për Europën
Mbi 45 udhëheqës shtetesh u mblodhën në Granada të Spanjës për samitin e tretë të Komunitetit Politik Europian. Diskutimi kryesor ishte gjetja e mënyrave për ta bërë Europën më elastike, më të begatë dhe gjeostrategjike.
Vëmendje iu kushtua ndihmës së Ukrainës për t’i rezistuar pushtimit rus, gjithashtu edhe sulmit të fundit në Kosovë dhe mosmarrëveshjeve me Serbinë. Samiti i radhës do të organizohet nga Mbretëria e Bashkuar.
“Kjo platformë e komunitetit politik mund dhe duhet të luajë një rol të rëndësishëm për shuarjen e konflikteve dhe të ndihmojë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, veçanërisht në Kaukazin Jugor dhe mes Serbisë e Kosovës. Konfliktet nuk janë një problem vetëm për ata që përfshihen drejtpërdrejtë, por edhe për rajonin dhe kontinentin tonë”,-deklaroi Charles Michel, presidenti i Këshillit të BE-së.