“Miell, bukë, peshk”/ Goditet grupi që trafikonte drogë nga Spanja në Itali, mes tyre edhe shqiptarë

Policia italiane ka zbardhur disa nga detajet e operacionit të ekzekutuar mëngjesin e sotëm në disa provinca italiane si dhe në Shqipëri e Spanjë.

18 persona u vunë në pranga dhe janë sekuestruar mbi 130 kg drogë e tipit marijuanë dhe hashash.

Për autoritetet italiane kjo bandë trafikantësh ishte një grup i armatosur e mjaft i dhunshëm. Hetimet e nisur më vitin 2017 kanë zbardhur se ata ushtronin dhunë fizike madje dhe sekuestronin persona që nuk arrinin të paguanin borxhet për të paguar drogën. Është dokumentuar se një prej borxhlinjve që kishte rreth 50 kg marijuanë të papaguar është sekuestruar e rrahur për disa orë nga celula  shqiptare e këtij grupi trafikantësh.

Droga trafikohej nga Spanja e Franca me dy automjete; automjeti i parë pa ngarkesë droge kontrollonte rrugën e në rast kontrolli policor informonte automjetin e dytë që udhëtonte rreth 5 minuta pas në distancë kohe e largësie nga automjeti i parë.

Biznesi i shitjes së drogës i sillte këtij grupi kriminal fitime mbi 200-300%.

1 kg marijuanë ata e blinin 600-1000 euro për kilogramë dhe e shisnin në Itali me çmimin 15 000-25 000 euro për kg.

Hashashin e blinin 1500-2000 për kilogramë dhe e shisnin  6 000- 8000 euro për kg në Itali.

Ndërsa kokainën e blinin me çmimin 40 mijë-50 mijë për kilogramë dhe e shisnin  në Italia me çmimin 80 mijë- 100 mijë euro për kg .

Baza logjistike e këtij grupi ishte një restorant në Castel Maggiore në provincën e Bolonjës e ku droga fshihej në kuzhinë. Për të komunikuar mes tyre trafikantët përdornin një gjuhë të kriptuar; kokainën e quanin miell e bukë, ndërsa hashashin e marijuanën e thërrisnin çokollatë, peshk, ëmbëlsirë se pica në varësi të sasive që trafikonin.

SHKARKO APP