Mijëra njerëz i bashkohen protestave “No Kings”, ndërsa tubimet anti-Trump përhapen në të gjithë SHBA-në

Turma të mëdha njerëzish u mblodhën dje për të protestuar kundër politikave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump – kryesisht në Nju Jork, Uashington, Çikago, Miami dhe Los Anxheles, sipas BBC.

Mijëra njërëz u mblodhën në sheshin ikonik “Times Square” në Nju Jork.

Rrugët dhe hyrjet e metrosë ishin të mbushura me protestues që mbanin pankarta me slogane si “Demokraci jo Monarki” dhe “Kushtetuta nuk është opsionale”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përpara demonstratave, aleatët e Trump akuzuan protestuesit se ishin të lidhur me lëvizjen e ekstremit të majtë “Antifa – duke dënuar atë që e quajtën si “Tubimi i urrejtjes së Amerikës”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Organizatorët dhe protestuesit thanë se ngjarjet ishin paqësore.

“Shmangia e dhunës është një parim thelbësor i demonstratave”, thanë organizatorët në faqen e tij të internetit, duke iu bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ulnin tensionet për të parandaluar përleshjet e mundshme.

Në Nju Jork, mund të shiheshin helikopterë dhe dronë duke fluturuar, ndërsa policia ishte vendosur në terren.

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut tha se më shumë se 100 000 njerëz ishin mbledhur për të protestuar paqësisht në të pesë lagjet e qytetit, dhe se nuk ishin kryer arrestime në lidhje me protestën.

Në “Times Square”, një oficer policie që qëndronte aty pranë vlerësoi se mbi 20 000 njerëz po marshonin në rrugën “7th Avenue”.

Që kur u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, Trump ka zgjeruar fushëveprimin e pushtetit presidencial, duke përdorur urdhra ekzekutivë për të dislokuar trupa të Gardës Kombëtare në shtetet e SHBA-së, pavarësisht kundërshtimeve nga guvernatorët e tyre.

Ai gjithashtu u ka bërë thirrje zyrtarëve më të lartë të zbatimit të ligjit të administratës që të ndjekin penalisht armiqtë e tij të perceptuar.

Presidenti Trump tha se masat e tij ishin të nevojshme për të rindërtuar vendin që ndodhej në krizë.

Por, kritikët paralajmërojnë se disa nga vendimet e administratës së tij janë jokushtetuese dhe një kërcënim për demokracinë amerikane.

Protesta nuk ka patur vetëm në SHBA.

Në të gjithë Evropën, pati edhe demonstrata në Berlin, Madrid dhe Romë, ndërsa njerëzit treguan solidaritet me homologët e tyre amerikanë.

Në Londër, disa qindra protestues u mblodhën jashtë ambasadës amerikane.

Protesta të ngjashme pati edhe në Toronto, ku demonstruesit pranë konsullatës amerikane tundnin pankarta duke përfshirë “Duart larg Kanadasë”. ATSH

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?