Ministri e Meritokracisë, propozimi unik i Lëvizjes 5 Yje
Nëse Lëvizja 5 Yje fiton zgjedhjet, Italia do të ketë dy Ministri të reja; Ministria e Meritokracisë dhe Ministria për fëmijët.
Pak ditë para mbylljes së fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 4 marsit në Itali, Lëvizja 5 yje ka informuar se ka përfunduar hartimin e listës së Ministrave të ardhshëm që do qeverisin Italinë në rast fitorje.
Kreu i kësaj force politike dhe kandidat për kryeministër Luigi Di Maio ka deklaruar se qeverisja e tyre parashikon 4 gra për postet e Ministrive më të rëndësishme si dhe ngritjen e dy Ministrive të reja, Ministria e Meritokracisë dhe Ministria për fëmijët.
“Ministria e Meritokracisë do të ndihmojë qeverinë në hartimin e politikave që do të mundësojnë të rinjtë apo dhe ata në moshë më të rritur për të arritur objektivat e tyre të jetës falë meritës së tyre. Tema e meritokracisë nuk ekziston në Itali. Të ndershmit shpesh konsiderohen budallenj”, u shpreh Luigi Di Maio.
Gjithashtu një tjetër risi e propozuar nga Lëvizja 5 Yje do të jetë ngritja e Ministrisë për fëmijërinë, një institucion për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.
“Në Itali sot ekziston një fragmentizim i politikave në dobi të fëmijëve”, u shpreh Di Maio.
“Kompetencat ndaj minorenëve janë ndarë sot mes 3 Minstrive, asaj të Arsimit, Politikave sociale dhe Drejtëisë. Duhet një kabinë regjie e përbashkët për të vënë fëmijët dhe familjet në qëndër të axhendës politike të qeverisë së ardhshme” deklaroi kreu i Lëvizjes 5 Yje.
Italia sot regjistron vendin me nivelin më të ulët të lindjeve në Europë si dhe sipas statistikave janë rreth 1 milionë fëmijë që jetojnë në gjëndje varfërie ekstreme.
KOHA JONË SONDAZH

