Ministri maqedonas tregon si mund të hiqet vetoja e Bullgarisë për Integrimin
Ngelja për në vjeshtë e konferencës ndërqeveritare, erdhi pasi Ministrat e Jashtëm të Unionit nuk arritën të gjenin zgjidhje për caktimin e një date për Tiranën dhe Shkupin. Bullgaria nuk bëri lëshime për çështjet e hapura që ka me Maqedoninë e Veriut, ndërsa BE nuk pranon që të ketë ndarje të Shqipërisë në procesin e integrimit.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, thotë se kishte shpresuar që qeveria teknike nuk do ta pengonte. “Por u dëshmua që nuk është kështu. Do të jetë shumë e rëndësishme sa do të formohen institucionet në zgjedhje, që të vijojmë me angazhimin tonë”, tha ai. Osmani është i mendimit që Maqedonia e Veriut ka qenë pjesë konstruktive e këtij procesi.
”Nuk kemi lejuar që interesat apo qëndrimet e ndryshme të na fusin në një diskurs negativ me Bullgarinë, pasi e dimë që një ditë do të arrijmë dakordësi. Nuk shoh arsye që ne të futemi në një konflikt të ngrirë si me Greqinë, ose të futemi në një retorike që ta kemi të vështirë të rikthehemi në dialog. Jam i bindur që nuk ka alternativë nga ky proces. Është në interes të Bullgarisë që te fqinjët e vet të ketë stabilitet”.