Minoriteti Afgan frikë nga Talebanët
Forcat afgane të sigurisë po vënë re një fuqizim të talebanëve në vend, të cilët përfitojnë nga largimi i trupave ndërkombëtare dhe nga ngecja e bisedimeve për paqe me qeverinë.
Komuniteti minoritar, “Hazara”, i Afganistanit ndjehet më i rrezikuari.
Ata përbëjnë 10 deri 20 për qind nga 38 milionë banorët që numëron vendi, por tani po i druhen lëkundjeve të mundshme në qeveri dhe luftës civile.
“Besojmë se alternativa e vetme për ne është qëndresa. Po të mos ngrihemi, gjithmonë kemi për t’u shtypur. Dhe po të ngrihemi, do e kemi ndërgjegjen të pastër para popullit tonë.”
Komuniteti “Hazara” persekutohet prej dekadash nga talebanët dhe bien shpesh pre e militantëve kamikazë të Shtetit Islamik, për shkak të veçorive etnike por edhe të besimit ”Shiit”.
Mijëra pjesëtarë tani janë armatosur nën urdhrat e komandantit, Abdul Gani Alipur.
“Nëse rriten pasiguritë, “Hazarët” sigurisht që janë më të rrezikuarit. Edhe kur në Afganistan kanë qenë prezentë trupat amerikane apo NATO-ja, rreziku ekzistonte”
“Fatkeqësisht qeveria nuk e plotësoi pritshmërinë tonë për të na mbrojtur, ndaj na është dashur të rrëmbejmë armët dhe të mbrohemi për mbijetesë”
Muajin e kaluar, celulat e ISIS-it në Pakistan masakruan një grup minatorësh” Hazarë” ndërsa në perëndim, mijëra të tjerë kaluan kufirin drejt Iranit, ku në dhjetëvjeçarin e fundit trajnohen dhe dërgohen të luftojnë me militantët ” Shiit” në Siri.
Administrata e shkuar amerikane vendosi vitin e kaluar që të tërheqë 2,500 trupat e saj nga Afganistani brenda majit 2021, por këshilltari për sigurinë i presidentit, Xho Bajden, ka paralajmëruar se vendimi do të rishikohet.