Mjekët dhe infermierët italianë kandidatë për çmimin Nobel
Personeli mjekësor italian është zyrtarisht kandidat për Çmimin Nobel të Paqes viti 2021.
Italia u bë vendi i parë në Perëndim i cili u përball me pandeminë globale dhe gjatë 365 ditëve të këtij viti, kanë qenë mjekët, infermierët, të gjithë punonjësit në spitale e struktura shëndetësore të cilët u përballën në linjë të parë me këtë emergjencë e rrëfyen për botën atë ç’ka po ndodhte në Itali.
Është hera e parë që personeli mjekësorë i një shteti kandidohet për një çmim prestigjioz siç është Nobel për Paqen, i cili prej vitit 1901 mban emrin e filantropit e shkencëtarit kimist Alfred Nobel.
“Personeli mjekësor italian është i pari në botën perëndimore që u përball me një emergjencë shumë serioze, ndaj së cilës luftoi si në luftë me të gjitha mjetet e mundshme mjekësore për të shpëtuar jetë e shpesh humbën jetën e tyre“, lexohet në motivimin e kësaj kandidature.
Kjo kandidaturë është prezantuar nga Fondacioni Gorbacov nën firmën e amerikanes Lisa Clark, presidente e International Peace Bureau e përfaqësuese e fushatës ICAN për zhdukjen e armëve nukleare, e cila aktualisht jeton në Itali në rajonin e Toskanës e personalisht ka punuar si vullnetare gjatë fazës më akute të pandemisë.
“Vetë mohimi i tyre gjatë vitit 2020 ishte prekës”, ka shkruar ajo.
“Diçka që nuk ndodhte prej dekadash e ngjante si në një libër përrallash. Personeli mjekësor italianë nuk mendonte për veten, por për atë që mund të bënte me aftësitë e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish.”
“Nuk më pëlqen t’i quaj heronj. Janë gra e burra të shërbimit shëndetësor italianë, nga mëngjesi në mbrëmje pa u kursyer kurrë e vazhdojnë ta bëjnë”, është komenti i bërë për këtë kandidaturë nga ministri italian i shëndetësisë Roberto Speranza.
Pas një viti të tmerrshëm, fshehur pas veshjeve mbrojtëse, me fytyrat me shenja nga puna shumë-orëshe e maska mbi fytyrë, për mjekët e infermierët italianë vjen vlerësimi i kësaj kandidature të rëndësishme, Çmim Nobel për Paqen.