Mjeku italian: Atalanta-Valencia, shkaku i përhapjes masive të Koronvirusit në Bergamo

Fitorja e Atalantës në Champions në “San Siro” kundër Valencias, shihet nga shumëkush si një nga epiqendrat e shpërthimit të Koronavirusit mes qytetarëve të Bergamos, një nga epiqendrat e infeksionit në Itali ku numri i të infektuarve dhe të vdekurve ka arritur nivele të frikshme.

Në fillim dukej si tallje në internet, e më pas spanjollët insistuan se ky kishte qenë shkaku i përhapjes së infeksionit në Spanjë, ku te Valencia janë rreth 35% e skuadrës të infektuar.

Tani, edhe mjeku imunolog italian i spitalit të Romës, Françeso Le Foke, duket se është dakord që ajo ndeshje mund të ketë qenë shkaktare e përhapjes së shpejtë.

“Një prej episodeve që ka ndikuar mund të jetë pikërisht ky. Ndeshja është kulmi në terminologjinë e euforisë kolektive në një sezon futbollistik unik në historinë e klubit. Ka kaluar një muaj nga ajo ndeshje, koha është domethënëse. Bashkimi i mijëra personave, 2 centimetra nga njëri-tjetri, të bashkuar edhe më shumë në momente euforie, ulërima, përqafime, mund të favorizojnë përsëritjen virale.

Mendoj se ka pasur një prodhim të madh pjesëzash virale nga goja dhe hundët gjatë festimeve në një ndeshje me shumë gola. Është frymëmarrja e një tifozerie të zjarrtë si pak të tjera.

Mendoj se në atë ndeshje kanë shkuar thuajse të gjithë, përfshirë me shumë mundësi edhe asimptomatikët apo ata që kanë pasur një temperaturë të lehtë. Kjo mund të jetë shkaku i asaj që tani quhet “anomalia e Bergamos””, theksoi mjeku italian.

SHKARKO APP