Mjeku rus: Covid-19, praktikë për një luftë biologjike në të ardhmen
Situata me pandeminë e koronavirusit duket si përgatitje për një luftë biologjike, tha kirurgu pediatrik rus Leonid Roshal, raporton Russia Today.
“Kur analizoj situatën e tanishme, kuptoj se kjo është një përgatitje për një luftë biologjike. Nuk po them që ky virus është bërë nga njeriu, nuk ka bazë të mjaftueshme për pretendime të tilla, dhe nuk jam virolog. Por ky është një provë e sistemit shëndetësor, përfshirë mbrojtjen biologjike të vendit,” tha Roshal në një intervistë për Forbes.
Ai thekson se virusi nuk njeh kufij dhe se është e pamundur të parashikohet përhapja e epidemisë, sepse njerëzit nga vende të ndryshme sillen ndryshe, përkundër të gjitha kufizimeve.
Sipas tij, në Rusi të gjithë janë të përfshirë në luftën kundër koronavirusit, përfshirë presidentin dhe qeverinë.
Mjeku rus beson se shkalla e ulët e vdekshmërisë në vend ka të bëjë me kufizimin në kohë të hyrjes në vend dhe masat e kontrollit të brendshëm.
Roshal thotë se është e nevojshme të vazhdohet me mbajtjen e maskave, që fëmijët e sëmurë të mos dërgohen në kopshte, që masat sanitare të respektohen në ndërmarrje, që punëtorët që nuk ndjehen mirë duhet të ndalohen të vijnë në punë dhe vazhdohet me testimin e koronavirusit.
“Koronavirusi po teston rezistencën e njerëzimit dhe se si ata do t’i rezistonin një katastrofe serioze biologjike,” përfundoi mjeku rus.