Mjeku rus që shtrëngoi duart me Putin javën e kaluar diagnostikohet me Covid-19
Një mjek që i dha dorën presidentit rus Vladimir Putin ngjatë vizitës së tij në spitalin kryesor të Moskës për luftimin e pandemisë, ka rezultuar pozitiv me Covid-19.
Putin vizitoi të martën e kaluar spitalin Kommunarka ku bisedoi me mjekun, Denis Protsenko. Asnjë nuk kishte veshur pajisje mbrojtëse gjatë bisedës së tyre.
Protsenko, duke shkruar në Facebook tha: “Po, unë kam rezultuar pozitiv në testin për Covid-19, por ndihem shumë mirë. Jam izoluar në zyrën time. Unë mendoj se imuniteti që kam zhvilluar këtë muaj po bën punën e vet. “
Kremlini tha që Putini po testohej rregullisht për koronavirus dhe se gjithçka është në rregull, njoftoi agjensia e lajmeve RIA.
Putini dhuroi pajisje për spitalin gjatë vizitës së tij javën e kaluar.. Por ai nuk e kishte veshjen e tij mbrojtëse gjatë takimit me Protsenko, me të cilin u fotografua duke shtrënguar duart.
Kremlini raportoi një rast me koronavirus në administratën e Putinit të premten, por tha që personi në fjalë nuk kishtekontakteme presidentin dhe se po merreshin të gjitha masat për të parandaluar përhapjen e virusit më tej.