Moderna aplikon sot për autorizim emergjent të vaksinës kundër COVID-19

Kompania Moderna tha se të hënën do të aplikojë për autorizim emergjent në SHBA dhe Europë të vaksinës së saj kundër COVID-19.

Rezultatet e testimit të fazës së tretë të vaksinës së kësaj kompania kanë treguar se ajo është efektive 94.1%, pa ndonjë shqetësim serioz të sigurisë.

Vaksina e Modernas mbase mund të jetë vaksina e dytë që pritet të marrë autorizimin e përdorimit emergjent në SHBA, këtë vit.

“Ne besojmë se kemi një vaksinë që është shumë efikase”, tha kryeshefi për çështje mjekësore i Moderna-s, Tal Zaks.

“Ne presim që të luajmë një rol kryesor në mposhtjen e kësaj pandemie”, tha ai.

Njoftimi i Modernas pason lajmet nga kompania tjetër, Pfizer.Inc dhe partneri gjerman BioNTech SE që vaksina e tyre ishte 95% efektive. Pfizer ka aplikuar për autorizimin e përdorimit emergjent, një javë përpara Moderna-s.

Përveç regjistrimit të aplikimit të saj në SHBA, Moderna tha se do të aplikonte për miratim me kusht nga Agjencia Evropiane e Barnave.

Rezultati i fundit i efektivitetit të vaksinës së Modernas është pak më i ulët se një analizë e përkohshme e lëshuar më 16 nëntor që tregonte një efikasitet prej 94.5%.

Ky ndryshim, sipas zyrtarëve të kompanisë, nuk përbën ndonjë rëndësi të madhe.

Në javët e fundit, rezultatet pozitive të vaksinave kanë ngjallur shpresat për t’i dhënë fund pandemisë që ka goditur ekonomitë, dhe ka marrë më shumë se 1.45 milion jetë në të gjithë botën.

Këshilltarët e pavarur të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave do të takohen më 17 dhjetor për të shqyrtuar të dhënat e provave të Moderna-s. Ata do të takohen më 10 dhjetor për të shqyrtuar të dhënat e kompanisë Pfizer. Menjëherë pasi të fitojë autorizimin e përdorimit emergjent, Moderna pret që vaksina të transportohet në pikat e caktuara të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.

SHKARKO APP