Muri me Meksikën. “Trump i gatshëm të mbushte llogoret me gjarpërinj ose krodokilë”

Pretendime të reja dhe mjaft të ashpra shënjestrojnë presidentin Donald Trump, i cili thuhet të ketë sugjeruar masa ekstreme për ndalimin e emigrantëve në kufi.

Në librin e botuar së fundi nga dy gazetarë të New York Times, thuhet se kreu i administratës amerikane ka propozuar të ushtarët t`i qëllojnë emigrantët në këmbë për t`i ngadalësuar, por i është thënë se kjo do të ishte e paligjshme.

Trumpi po kështu, thuhet të ketë përmendur disa herë idenë e “llogoreve të mbushura me ujë dhe gjarpërinj ose krodokilë”, ndërsa mendonte që muri i ngritur në kufi, të përshkohej nga rrymë elektrike. Ndërtimi i murit në kufi me Meksikën ka qenë dhe mbetet një prej objektivave kryesorë të Trumpit, dhe ka nisur tashmë, me 3,6 miliardë dollarë të alokuar nga Pentagoni prej fondeve te veta ushtarake për ndërtimin e strukturës së shumëdëshiruar të presidentit.

Shtëpia e Bardhë nuk ka bërë ende asnjë koment mbi raportet e fundit, që nuk hedhin një dritë të mirë mbi kreun e saj. Gazetarët thonë se libri i tyre bazohet në intervista të realizuara me “më shumë se një duzinë zyrtarësh të administratës amerikane dhe të shtëpisë së bardhë,“ të përfshirë direkt në diskutimet që u zhvilluan marsin e këtij viti.

“Po më bëni të dukem si idiot”, mësohet të ketë thënë Trumpi në mbledhje, ndërsa këmbëngulte për gjetjen e një zgjidhjeje të situatës.

SHKARKO APP