Myslimanët vijojnë pelegrinazhin në Mekë, pak ditë para Kurban Bajramit
Pavarësisht temperaturave shumë të larta në Arabinë Saudite, vizitorët nga e gjithë bota nuk janë ndalur të bëjnë sakrificën e tyre pak ditë para festës së rëndësishme të Kurban Bajramit.
Turma të mëdha pelegrinësh myslimanë të veshur me rroba të bardha tipike për të kryer ritin, ecnin rreth Qabes, kubit të zi në Xhaminë e Madhe të Mekës.
Vendi më i shenjtë i Islamit pritet të presë më shumë se dy milionë adhurues nga 160 vende gjatë riteve vjetore që mund të thyejnë rekordet e pjesëmarrjes, me 1.6 milionë të huaj tashmë atje deri të premten vonë.
Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit dhe duhet të kryhet të paktën një herë në jetë nga të gjithë myslimanët. Një seri ritesh të rëndësishme përfundojnë gjatë katër ditëve në Mekë dhe rrethinat e saj në perëndim të Arabisë Saudite.
Të dielën mbrëma, pelegrinët do të fillojnë të lëvizin në Mina, rreth pesë kilometra nga Xhamia e Madhe, përpara kulmit të Haxhit në malin Arafat, ku profeti Muhamed besohet të ketë mbajtur predikimin e tij të fundit. Koha e verës së këtij viti për Haxhin, do testojë qëndrueshmërinë e adhuruesve gjatë ritualit kryesisht në natyrë.