NATO është në alarm për Ballkanin: Retorika nacionaliste në Bosnje po rrezikon stabilitetin

“Retorika nacionaliste dhe përçarëse në Bosnje-Hercegovinë rrezikon stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Shqetësimin e ka shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në konferencën që zhvilloi me kryesuesin aktual të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç.

Stoltenberg theksoi se NATO mbështet fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës. “NATO mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës. Jemi thellësisht të shqetësuar me retorikën ndarëse dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë. NATO mbështet reformat në fushën e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në këtë drejtim, përfshirë edhe në modernizimin e forcave të armatosura”, tha Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO.

Ndonëse Stoltenberg nuk përmendi emra, deklarata e tij duket se u bë në referencë për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh bën paralajmërime për shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.

Dodik, që është nën sanksione amerikane, mban lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe kundërshton procesin e integrimit të Bosnjës në NATO. Ndërkaq kryesuesi i radhës i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beçiroviç, tha se shumica e qytetarëve të shtetit të tij mbështesin anëtarësimin në NATO.

Ai tha se për vendin e tij, mbështetja nga NATO-ja është jetike për të ruajtur paqen dhe sigurinë. “NATO edhe përmes vendimeve të organeve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës ka kompetenca të veprojë në rast se stabiliteti i vendit vihet në rrezik. Mbështetja nga NATO-ja është jetike për të ruajtur paqen dhe sigurinë”, tha Denis Beçiroviç, Kryesues i Presidencës Trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës Shefi i NATO-s.

SHKARKO APP