NATO fillon stërvitjen bërthamore dyjavore në Evropë me 60 avionë

NATO ka nisur stërvitjen e saj vjetore bërthamore të quajtur “Mesdita e palëkundur”, përfshirë një personel ushtarak prej 2.000 personash nga tetë baza ajrore dhe mbi 60 avionë, transmeton Anadolu.

Stërvitja gjithashtu përfshin avionë luftarakë të aftë për të mbajtur koka bërthamore amerikane ndërsa është planifikuar të vazhdojë për dy javë.

“Parandalimi bërthamor është gurthemeli i sigurisë së aleatëve”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një deklaratë të publikuar nga aleanca.

“‘Mesdita e palëkundur’ është një test i rëndësishëm i parandalimit bërthamor të Aleancës dhe i dërgon mesazh të qartë çdo kundërshtari se NATO do të mbrojë të gjithë aleatët”, shtoi ai.

Stërvitjet e sivjetme përfshijnë fluturime kryesisht mbi Belgjikë dhe Holandë, me manovra shtesë në hapësirën ajrore të Danimarkës, Britanisë së Madhe dhe Detit të Veriut. Avionët luftarakë holandez F-35A u konfirmuan si të gatshëm për të kryer role bërthamore.

Deklarata e NATO-s kujtoi deklaratën e Samitit të Washingtonit, duke pohuar se “qëllimi themelor i aftësisë bërthamore të NATO-s është ruajtja e paqes, parandalimi i kërcënimeve dhe frenimi i agresionit”.

Në deklaratë theksohet më tej se “për sa kohë që ekzistojnë armët bërthamore, NATO do të mbetet aleancë bërthamore”.

SHKARKO APP