NATO koordinon dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë, fillimi i hershëm i një ofensive të re
Forcat ruse bombarduan të martën trupat dhe qytetet ukrainase të vijës së parë të frontit në rajonin lindor të Donetskut, në atë që duket si fillimi i hershëm i një ofensive të re, ndërsa aleatët perëndimorë të Kievit u takuan për të koordinuar dërgimin e më shumë armëve.
Pjesa më e madhe e luftimeve të artilerisë ruse u përqendrua në Bakhmut, një qytet i kryer në rrënoja nga bombardimet në provincën Donetsk dhe një objektiv kryesor për presidentin Vladimir Putin. Trupat ukrainase atje kanë fortifikuar pozicionet në pritje të luftimeve në çdo rrugë. Kapja e Bakhmut do t’i hapë rrugën Rusisë për të përparuar drejt dy qyteteve më të mëdha të Donetskut, Kramatorsk-ut dhe Sloviansk-ut, dhe do t’i japë Moskës vrull të ri pas disa muajsh pengesa në fushën e betejës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin pret që Ukraina të nisë ofensivën kundër Rusisë në pranverë dhe aleatët e Kievit po punojnë për të siguruar fuqinë e nevojshme të zjarrit dhe logjistikën për ta bërë atë efektive. “Ukraina ka kërkesa urgjente që të përmbushë këtë moment vendimtar të luftës. Ne besojmë se do të ketë një dritare mundësie për ta”. Para mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se nuk ka shenja se Putini po përgatitet për paqe.
“Ajo që ne shohim është e kundërta, ai po përgatitet për një luftë të gjatë, për ofensiva të reja dhe sulme të reja”. Ukraina ka siguruar tanke beteje të standardeve të NATO-s por gjithashtu kërkon avionë luftarakë dhe raketa me rreze më të gjatë veprimi. Duket se presioni për avionët po jep rezultat. Bisedimet për furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë F-16 ka të ngjarë të japin fryte, tha pas takimit ministri polak i mbrojtjes.