Navalny del para gjykatës
Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny ka dalë para një gjykate në Khimki, vetëm një ditë pasi u ndalua nga autoritetet në aeroportin e Moskës, pasi erdhi nga Gjermania, ku u trajtua për helmim.
“Gjykimi i Alekseit po ndodh tani në Khimki, në ndërtesën e Departamentit të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha zëdhënësja e Navalnyt, Lora Yarmysh në një postim në Twitter.
Ajo ka postuar po ashtu një video të Navalnyt ku ai ka thënë se kjo seancë dëgjimore është “shkalla më e lartë e paligjshmërisë”.
Policia e arrestoi Navalnyn, 44 vjeç, më 17 janar, teksa ai po kryente kontrollin e pasaportës në një aeroport të Moskës, pasi u kthye nga Gjermania.
Avioni me të cilën Navalny udhëtoi për në Moskë paraprakisht ishte planifikuar që të ateronte në aeroportin, Vnukovo. Por, autoritetet e mbyllën këtë aeroport për fluturime hyrëse. Pas kësaj, avioni me Navalnyn zbriti në aeroportin, Sheremetyevo, ku dhe ai u ndalua.
Dhjetëra mbështetës të Navalnyt dolën më 17 janar në aeroportin Vnukovo për ta pritur atë. Autoritetet ruse tha se këto tubime ishin të paligjshme dhe dhjetëra persona u arrestuan.
Në Gjermania Navalny u trajtua për disa muaj, pasi në gusht të vitit të kaluar u helmua, helmim për të cilin, Navalny ka thënë se është urdhëruar nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Që prej se është ndaluar, Navalny nuk ka pasur mundësi të komunikojë me avokatin e tij. Pala e tij mbrojtëse tha se u është mohuar që të kenë qasje te Navalny dhe se ata nuk e dinë se në çfarë gjendje ndodhet ai.
Më herët gjatë 18 janarit, drejtori i Fondacionit Anti-korrupsion të Navalnyt, Ivan Zhdanov, tha se opozitari rus po mbahej në Departamentin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Khimki, në periferi të Moskës.
Autoriteti korrektues i Rusisë, FSIN, tha se Navalny është ndaluar sepse ai ka bërë një “sërë shkeljes” së pezullimit të një dënimi të mëhershëm lidhur me përvetësim fondesh. Për këtë shkelje, Navalny mund të dënohet deri në tre vjet e gjysmë burgim.
Liderët perëndimorë kanë kritikuar Moskën zyrtare pas arrestimit të Navalnyt dhe kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dënuar ndalimin e Navalnyt. Ndërkaq, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se “autoritetet ruse duhet ta lirojnë menjëherë atë”. Ajo po ashtu përsëriti thirrje e Brukselit që për helmimin e Navalnyt, që për pak i mori jetën, të kryhet një hetim i pavarur.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov kërkoi nga Perëndimi të merret me problemet e veta. Sipas tij, reagimet e politikanëve perëndimor lidhur me ndalimin e Navalnyt “i lejojnë atyre të mendojnë se po e bëjnë këtë që të shpërqendrojnë vëmendjen nga krizat e thella që modeli liberal i zhvillimit gjendet”.
Ndërkaq, organizata Amnesty International tha se Navalny është “një i burgosur i ndërgjegjes”.
Në gusht të vitit të kaluar, Navalny ishte sëmurë gjatë një udhëtimi me avion nga qyteti Tomsk për në Moskë. Ai më pas u dërgua për trajtim për helmim në Gjermani. Testet e kryera në laboratorë të shteteve perëndimore erdhën në përfundim se Navalny është helmuar me agjentin nervor, Noviçok.