Navalny u helmua, dosja hetimore hedh poshtë Kremlinin

Kritiku më i fortë i Kremlinit, Alexei Navalny vdiq si pasojë e helmimit dhe jo si pasojë e një vdekje natyrale. Faktet publikohen për herë të parë nga portali i njohur mediatik “The Insider”. Dokumentet tregojnë se Navalny shfaqi simptoma të helmimit pak para vdekjes së tij. Ai u shtri në dysheme dhe u ankua për dhimbje barku. “Ai pati të vjella, kishte konvulsione dhe humbi vetëdijen”, thuhet në dokumentin e nënshkruar nga një hetues rus. Autoritetet hetimore i fshinë këto detaje nga dosja dhe krijuan një version të ri të dokumentit zyrtar.

Një dokument tjetër sipas “The Insider” tregon gjithashtu një listë të sendeve të konfiskuara nga skena e dyshuar e krimit. Ai regjistron një “kampion nga e vjella” e Navalny që me sa duket u mblodh për hetime të mëtejshme. Megjithatë, asnjëherë nuk u komunikua zyrtarisht se Navalny kishte të vjella. Portali mediatik citon një mjek i cili konkludon se simptomat tregojnë helmim – dhe jo siç thuhet zyrtarisht, aritmi kardiake, shkruan A2 CNN.

“Intervalet e shkurtra midis dhimbjes së barkut dhe ngërçeve tregojnë ekspozim të mundshëm ndaj një agjenti organofosforik – të njëjtën klasë të substancës si Novichok, por në këtë rast mund të jetë përdorur nga brenda dhe jo nga jashtë” , pjesë nga dëshmia e mjekut.

Autoritetet ruse gjithmonë flisnin për një vdekje natyrale. 47-vjeçari Navalny u rrëzua në oborrin e burgut të kampit të burgut. Të gjitha përpjekjet për ringjallje më pas dështuan. Kur familja deshi të shihte trupin, fillimisht ai nuk u gjet.

SHKARKO APP