Ndërhyrja e Rusisë në zgjedhje – Djali i Trump takoi gjatë fushatës avokaten e lidhur me Moskën
Një takim i realizuar mes djalit të Presidentit Trump dhe një avokateje ruse të njohur për lidhjet e saj me Kremlinin, ka rindezur edhe njëherë debatin për lidhjet e dyshuara të zyrtarëve të lartë të fushatës së liderit aktual të Shteteve të Bashkuara me përfaqësues të qeverisë së Rusisë. Mediat kanë shkruar se juristja kishte premtuar se do të jepte të dhëna kompromentuese për fushatën e ish-rivales së Trump, Hillary Clinton, gjë që ngre pikëpyetje të mëdha.
Dyshimet për lidhje të mundshme mes zyrtarëve të fushatës së Donald Trump dhe Rusisë janë rikthyer sërish, teksa mediat kanë konfirmuar një takim të zhvilluar më herët mes djalit të Presidentit, Donald Trump Junior dhe avokates, Natalia Veselnitskaja, e njohur për lidhjet e saj me Kremlinin.
Lajmi është raportuar fillimisht nga prestigjozja New York Times, ndërkohë që pas interesimit të mediave, biseda është konfirmuar si nga Donald Trump Junior, ashtu edhe nga avokatja.
Megjithatë, artikulli i publikuar nga mediat dhe qëndrimi zyrtar i djalit të Presidentit kanë përmbajtje të ndryshme.
Sipas New York Times, në takim ka marrë pjesë Donald Trump Junior dhe ish-drejtuesi i fushatës së Presidentit aktual, Paul Manafort, vetëm pas premtimit nga ana e juristes ruse se kjo e fundit do t’u prezantonte të dhëna kompromentuese për ish-rivalen e Donald Trump, Hillary Clinton.
Megjithatë, në konfirmimin zyrtar të djalit të Trump, kjo gjë nuk u pohua.
Donald Trump Junior nënvizoi se zyrtarja fillimisht i kishte folur për financime që sipas saj vinin nga Rusia drejt Partisë së Demokratëve, por sipas tij, nuk paraqiti fakte konkrete apo argumente të qëndrueshme.
Pas kësaj, juristja kishte nisur të fliste për një tjetër çështje, gjë që la të kuptohej se tema e saj paraprake kishte qënë thjeshtë një pretekst për të realizuar një takim.
KOHA JONË SONDAZH

