Ndotja e ajrit shkakton astmë tek fëmijët, ja çfarë zbulon studimi i fundit

Sa më shumë të ekspozohen fëmijët ndaj ndotjes, aq më i madh është rreziku që të zhvillojnë astmë për herë të parë, zbulon një studim i madh, sipas “CNN”.

Studimi, i botuar në “BMJ” (revistë javore në lidhje me mjekësinë) të mërkurën, shton provat që ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit ndikon në zhvillimin e problemeve kronike të frymëmarrjes.

Mjekët e kanë ditur prej kohësh se edhe ekspozimi i shkurtër ndaj ajrit të ndotur mund ta keqësojë astmën.

Studiuesit analizuan të dhënat e afro 780,000 fëmijëve danezë të lindur nga viti 1997 deri në 2014. Ata vazhduan regjistrimet për të parë nëse ndonjë nga fëmijët shfaq astmë midis moshave 1 dhe 15 vjeç.

Ata zbuluan se fëmijët, prindërit e të cilëve kishin astmë, kishin më shumë probabilitet të prekeshin nga astma. E njëjta gjë ndodhte me fëmijët, nënat e të cilëve pinin duhan kur ishin shtatzënë.

Gjithashtu, kur fëmijët ekspozoheshin ndaj grimcave të ndotura të ajrit, kishin më shumë të ngjarë të zhvillonin astmë dhe frymëmarrje të rënduar në krahasim me fëmijët që nuk ishin të ekspozuar ndaj ndotjes.

Ndotja vjen nga termocentralet, makinat, ndërtimet, bujqësia dhe zjarret. Grimcat e ndotura mund të ngecin në mushkëri ose mund të futen në rrjedhën e gjakut dhe mund të shkaktojnë acarim dhe inflamacion.

Ndotja e ajrit besohet se shkurton mesataren e jetëgjatësisë së fëmijëve me 20 muaj, sipas një studimi të vitit 2019.

Ekspozimi ndaj ndotjes është i lidhur edhe me problemet e zemrës, kancerin dhe vdekjen e parakohshme. Dhe nuk janë vetëm problemet fizike.

Një studim i vitit 2019 zbuloi se edhe ekspozimi afatshkurtër ndaj ndotjes së lartë të ajrit korrespondonte me një rritje të vizitave në departamentin e urgjencës së psikiatrisë të fëmijëve për çrregullimin e sjelljes, për mendimet e vetëvrasjes dhe për skizofreninë.

Shkencëtarët mendojnë se kriza e klimës po e vështirëson edhe më shumë mbrojtjen e shëndetit të njeriut, pasi temperaturat e ngrohta e bëjnë ndotjen e ajrit një problem shumë më të madh në të gjithë botën.

SHKARKO APP