Në Britani regjistrohet viktima e parë nga koronavirusi, 3 vdekje të reja në Francë
Shënohet dhe viktima e parë në Angli ditën e sotme (5 mars) si rezultat i koronavirusit.
Sipas BBC, pacienti ishte i moshuar dhe ishte shtruar më parë në spital për sëmundje që nuk kishin lidhje me koronavirusin.
Por pasi rezultoi pozitiv ndaj testeve të bëra, ajo e përkeqësoi më tej gjendjen e tij shëndetësore.
Ndërkohë që numri i të prekurve në Britani ka shkuar në 116 me një rritje të ndjeshme prej 30 pacientësh që nga dita e djeshme.
Tre viktima të reja në Francë
Ndërkohë në Francë epidemia po përparon me shpejtësi. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë flasin për 423 raste të kontaminimit nga koronavirusi i ri, 138 më shumë se një ditë më parë.
Ndërkohë tre persona humbën jetën, duke e çuar numrin e vdekjeve në shtatë që nga fillimi i epidemisë në vend. Njëzet e tre persona janë në gjendje të rëndë si rezultat i Covid-19.
Rritja e përhapjes mes të mërkurës dhe të enjtet është më e madhja që nga fillimi i krizës. Franca është shteti i tretë më i prekur në Europë, pas Italisë dhe Gjermanisë.