Në mes të stuhisë dimërore, miliona njerëz pa energji elektrike në Teksas

Miliona njerëz në Teksas vazhdojnë të kenë mungesë të energjisë elektrike si pasojë e motit të ftohtë dhe me acar ndërsa një tjetër stuhi dëbore i afrohet shtetit të SHBA-së.

Vala e mëparshme e të ftohtit që solli valën fillestare të stuhive të dëborës dhe akullit dëmtoi furnizimin me energji në shtet duke nisur që nga fundjava. Rreth 2.7 milionë familje vazhdojnë të kenë mungesë të energjisë elektrike, njofton kompania shtetërore e rrjetit elektrik.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në të gjitha rrethet e shtetit.

Paralajmërimi për stuhi të borës mbetet në fuqi për të gjitha rajonet, përveç qarqeve të Bregut të Gjirit të Teksasit.

Stuhia vjen ndërsa vazhdojnë të regjistrohen temperatura rekord të ulëta në disa qytete në të gjithë shtetin, ndërsa temperaturat nuk priten të ngrihen mbi zero në pjesë të gjëra të shtetit deri në fundjavë.

Të paktën 25 persona e kanë humbur jetën në Midwest dhe në jug ndërsa rajonet përballen me motin ekstrem, shumica e të cilëve kanë vdekur në Teksas, sipas NBC News.

Shkaqet e vdekjes kanë përfshirë helmimin me monoksid karboni, aksidente trafiku dhe zjarre të ndezura nga njerëzit në vatrat e tyre të cilat shkaktuan flakë jashtë kontrollit.

SHKARKO APP