Në SHBA, 300 mijë vdekje më shumë gjatë 2020-ës, dy të tretat të lidhura me COVID
Sipas një studimi të ri të publikuar të martën nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, rreth 300 mijë persona më shumë në SHBA kanë humbur jetën mes fundit të janarit dhe fillimit të muajit tetor. Në studim thuhet se dy të tretat e tyre ose më shumë se 198 mijë mund të kenë vdekur për shkak të koronavirusit, megjithëse në çertifikatat e tyre të vdekjes nuk ishte regjistruar virusi si shkak.
Bazuar në gjetjet e agjencisë federale që trajton çështje të shëndetit, mes kësaj shifre të rritur të vdekjeve për këtë periudhë, 26.5 për qind janë persona të moshës nga 25 në 44 vjeç, rritja më e madhe e shënuar mes të gjitha grupmoshave.
Një përqindje të lartë vdekjesh ka pasur mes njerëzve me ngjyrë. Hispanikët shënuan një rritje prej 56 për qind, afrikano-amerikanët një rritje prej 33 për qind, ndërsa amerikanët e bardhë vetëm 12 për qind. Hispanikët, afrikano-amerikanët si dhe amerikanët e moshuar, janë prekur më shumë nga pandemia e COVID-19 sesa pjesa tjetër e popullsisë.
Sipas universitetit Johns Hopkins, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kenë numrin më të madh të vdekjeve si pasojë e COVID-19 me më shumë se 221,000 raste të konfirmuara që nga fillimi i pandemisë.