Në vend të debatit presidencial, Trump e Biden iu përgjigjen në të njëjtën kohë pyetjeve të publikut
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe rivali i tij demokrat në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden, pritet të mbajnë takime konkurrente nëpër televizionet kombëtare më 15 tetor, në vend të debatit të dytë presidencial.
Debati i dytë, nga tre sa janë në total, është anuluar pasi Trump ka refuzuar të marrë pjesë në versionin virtual të takimit, pas infektimit të presidentit amerikan me koronavirus. Si përfundim, kandidatët për president do të paraqiten në rrjete të ndryshme televizive në të njëjtën kohë, duke pranuar pyetje nga votuesit, më pak se tri javë para zgjedhjeve. Takimi i Trumpit do të transmetohet për 60 minuta në rrjetin NBC nga Majami, Florida, derisa organizimi 90-minutësh i Bidenit do të transmetohet në ABC nga Pensilvania.
Debati final Trump-Biden është planifikuar të mbahet më 22 tetor në Nashvill, Tenesi, para se amerikanët të votojnë më 3 nëntor. Trump, i cili është kritikuar ashpër për përgjigjen e tij ndaj pandemisë, i është kthyer këtë javë aktiviteteve të fushatës, pasi ishte shtrirë paraprakisht në spital, si pasojë e koronavirusit.