“Nënat e Srebrenicës” ngrenë padi kundër Holandës në Strasburg
Të afërm të viktimave të Masakrës së Srebrenicës ngritën padi kundër Holandës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Padia, e cila sfidon një vendim të Gjykatës së Lartë në Holandë, të muajit korrik, është përpjekje e grupit të njohur si “Nënat e Srebrenicës” për të mbajtur Qeverinë holandeze përgjegjëse për vrasjen e 350 burrave myslimanë.
“Nënat e Srebrënicës ngritën sot një rast kundër shtetit holandez në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, thanë përmes një deklarate avokatët Marko Gerritsen dhe Simon van der Slujis, duke e akuzuar shtetin holandez për mosmarrje të masave të mjaftueshme për të mbrojtur popullsinë.
Në total, mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.
Atëbotë, shumë prej viktimave kanë shkuar në zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara, por atje nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të paqeruajtësve holandezë për t’i mbrojtur ata.
Gjykata e Lartë e Holandës konstatoi më 19 korrik se paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara “kanë vepruar në mënyrë të paligjshme” kur i kanë evakuuar burrat nga baza e tyre ushtarake pranë Srebrenicës, më 13 korrik, 1995, duke i dorëzuar ata te forcat serbe të Bosnjës, edhe pse e kanë ditur se “kanë qenë në rrezik serioz për t’u abuzuar ose vrarë”.
Megjithatë, Gjykata e Lartë tha se Holanda mban përgjegjësi “shumë të kufizuar”. Sipas vendimit të Gjykatës, Holanda ka vetëm 10 për qind të përgjegjësisë për vdekjen e 350 burrave.
Avokatët e “Nënave të Srebrenicës” thanë se ky vendim ishte “krejtësisht arbitrar”. Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.