Nesër nis paqja në Gaza/ Hamasi do dorëzojë 50 pengje, Izraeli do lirojë 150 palestinezë
Paqja në Rripin e Gazës kthehet pas thuajse 7 javëve të mbushura me luftime të ashpra dhe shkatërrim. Ushtria e Izraelit dhe militantët e Hamas ulin armët mëngjesin e së premtes, për t’i lënë hapësirë shkëmbimit të 50 pengjeve izraelite në total me 150 palestinezë të burgosur. Detajet e këtij armëpushimi u bënë nga Katari dhe Egjipti që ndërmjetësuan paqen katër ditore.
“Civilët e parë do të lirohen nga Gaza rreth orës 16:00 të së premtes. Ata do të jenë 13, të gjithë gra dhe fëmijë. Ata pengje që janë nga të njëjtat familje do të lirohen bashkë. Natyrisht, çdo ditë do të përfshijë një numër civilësh siç është rënë dakord për lirimin e gjithsej 50 pengjeve brenda katër ditëve,” deklaroi Majed Al-Ansari, zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Katarit.
Zyra e kryeministrit izraelit tha se ka marrë një listë paraprake të pengjeve që do lirohen nesër. Zyrtarët izraelitë po kontrollojnë detajet dhe po kontaktojnë familjet e prekura. Katari shpreson të negociojë një marrëveshje të mëvonshme për lirimin e pengjeve të tjera nga Gaza deri në ditën e katërt të armëpushimit.