Netanjahu sërish në gjyq për korrupsion

Dyshimet për korrupsion e vendosën kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, sërish në bankën e të akuzuarit.

Netanjahu u paraqit të hënën në seancën gjyqësore të radhës, për të dëgjuar prokuroren e shtetit që e ngarkon me faj për korrupsion, për mashtrim dhe për abuzim me pushtetin.

71-vjeçari i ka quajtur akuzat një gjueti shtrigash me urdhër të rivalëve politikë.

Ish-ndihmësit e Netanjah-ut pritet çdo javë të merren në pyetje për tri çështje penale, më e rënda nga të cilat konsiderohet akuza se ai përdori postin e kryeministrit për të favorizuar një kompani telekomunikacioni për ambiciet personale politike.

Dëshmitë për rastin u vendos të shtyhen pas zgjedhjeve që u mbajtën gati dy javë më parë.

Edhe pse Netanjahu fitoi garën, partia e tij mori vetëm 30 nga 120 mandatet e mundshme dhe bashkë me aleatët e vjetër nuk e ka shumicën.

Rivalët e tij thonë se nuk duan të bashkëpunojë më me të pasi mund ta shfrytëzojë pushtetin për t’i dhënë imunitet vetes nga akuzat aktuale.

Të hënën, presidenti izraelit, Reuven Rivlin, filloi konsultimet me partitë që mund të bëjnë bashkë 61 deputetë për qeverinë.

Kandidatit për kryeministër do i jepet 28 ditë kohë për të gjetur kompromisin politik.

SHKARKO APP