Nga droga te shkolla, zbulohen planet për Universitetin “El Chapo”
Familja e El Chapo-s po mendon të hapë një Universitet në vendlindjen e trafikantit famëkeq të drogës.
Shkolla do të ndërtohet në Badiraguato, Meksikë, dhe familjarët e tij mendojnë të përdorin një pjesë të parave të Joaquín Guzmán që janë sekuestruar nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa kanë kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë meksikane.
Madje, avokati i familjes, José Luis González Meza, tha se shpresonte që për këtë rast mendohet të organizohet edhe një ceremoni në të cilën do të marrë pjesë mamaja e El Chapo-s, Maria Consuelo Loera dhe Presidenti i Meksikës, Andrés Manuel López Obrador, kur të vizitojë për herë të parë shtetin e Sinaloas.
Familja e El Chapo-s dëshiron të ndërtojë edhe disa dyqane ushqimore me çmime të përballueshme për të varfrit, ndërsa ka një plan edhe për të zhvilluar industrinë farmaceutike për t’u mundësuar meksikanëve të varfër – dhe të tjerëve në gjithë Amerikën e Jugut- ilaçe me çmime të lira.
El Chapo është duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një burg të sigurisë së lartë, ku qëndron i izoluar në qeli për 23 orë në ditë. Sipas prokurorëve amerikanë, bashkëthemeluesi i Kartelit të Sinaloas ka arritur të sigurojë 11,8 miliardë dollarë nga shitja e kokainës, 846 milionë dollarë nga marijuana dhe 11 milionë dollarë nga heroina.
Shtetet e Bashkuara kërkuan që El Chapo të rikthejë 12,6 miliardë dollarët e fituar në 25 vite, ndërsa Presidenti meksikan López Obrador pati deklaruar në korrik se asetet e konfiskuara nga SHBA duhet t’i rikthehen Meksikës.