Nga pandemia tek Rusia dhe Kina, ministrat e jashtëm të G7 mblidhen në Londër

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ndodhet në Londër për bisedime me ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të G-7, me pandeminë e koronavirusit, Rusinë dhe Kinën midis pikave të mundshme të agjendës gjatë tre ditëve të punimeve të takimit.

Irani dhe Koreja e Veriut, programet bërthamore të të cilave kanë qenë në qendër të negociatave viteve të fundit, do të diskutohen në një darkë pune të hënën në mbrëmje.

Takimet e sekrtarit Blinken të hënën përfshijnë bisedime me ministrin e Jashtëm japonez Toshimitsu Motegi, ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut Chung Eui-yong, ministrin e Jashtëm të Bruneit II Dato Erywan Yusof, ministrin Indian të Punëve të Jashtme Subrahmanyam Jaishanka dhe sekretarin e Jashtëm Britanik Dominic Raab.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Tetë vjet më parë Britania e Madhe, aleati ynë i domosdoshëm, priti për herë të fundit presidencën e G-7”, shkroi zoti Blinken në Twitter pasi mbërriti në Britani. “Është mirë të kthehesh mes partnerëve dhe aleatëve për këto diskutime”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ministria e Jashtme britanike tha se sekretari Raab dhe sekretari Blinken, do të këshillohen për Afganistanin, Iranin, Kinën dhe tregtinë, në takimin e tyre.

Bisedimet e ministrave të G-7 po hedhin themelet për një takim të nivelit të lartë të shefave të vendeve në qershor që do të mbahet gjithashtu në Britani.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se takimet e kësaj jave do të ishin një shans për të diskutuar “avancimin e rritjes ekonomike, të drejtat e njeriut, sigurinë ushqimore, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave”.

Përveç Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, G-7 përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Japoninë. Australia, India, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe Brunei gjithashtu po marrin pjesë në bisedimet e kësaj jave.

Pas takimeve të G-7, sekretari Blinken do të udhëtojë në Ukrainë për t’u takuar me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha në një deklaratë se sekretari Blinken do të “ritheksojë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?