Nga sot, gjobë 20 euro kush nuk mban maskë!
Nga sot, në Maqedoninë e Veriut nis zbatimi i dekretit për mbajtjen e detyrueshme të maskës, shallit apo facoletës për të mbuluar gojën dhe hundën, si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Sipas dekretit të miratuar nga Qeveria, çdo qytetar që në ambiente të mbyllura nuk mban pajisje për mbrojtje personale do të dënohet me nga 20 euro, ndërsa kompanitë që nuk do të respektojnë këto masa, rrezikojnë një një ndëshkim me deri në 2 000 euro. Në ambientet e mbyllura publike përfshihen marketet, dyqanet, bankat, zyrat postare, objektet shëndetësore si dhe transporti publik.
Pajisjet mbrojtëse në sipërfaqe të hapura duhet të mbahen në tregje dhe vende ku nuk ekziston mundësia e ruajtjes së distancës fizike prej dy metrash. Sipas dekretit, mjetet mbrojtëse në ambjente të hapura nuk do të mbahen vetëm nëse qëndrohet në oborr ose në tarracën, apo kur lëvizet me biçikletë dhe makinë me familjarët.