Nis beteja e zgjedhjeve në Britani/ Johnson premton Brexit. Rezultati do të jetë i vështirë
Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka nisur fushatën e zgjedhjeve këtë javë duke premtuar përfundimin e Brexit, që sipas tij bën kontrast me rivalin Jeremy Corbyn.
Britanikët do të votojnë më 12 Dhjetor, pasi parlamenti ra dakord javën e kaluar për zgjedhje të parakohëshme, me qëllim që t’i japin fund mosmarrëveshjeve për Brexit, që kanë cënuar ekonominë e pestë më të madhe në botë.
Rezultati i votimit është i vështirë për t’u parashikuar, ndërkohë që çështja e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian ka irrituar votuesit dhe i ka dhënë mundësi partive të vogla që të sfidojnë konservatorët dhe laburistët.
Ndërkohë që Johnson po tenton ta përkufizojë votimin si një mjet për të kaluar Brexit, ekzistojnë çështje të tjera të brendshme si e ardhmja e Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë (NHS).
“Nuk kërkoj zgjedhje, asnjë kryeministër nuk do zgjedhje të parakohëshme, veçanërisht në Dhjetor. Por nuk kemi zgjidhje tjetër, për shkak se duhet të përfundojmë Brexit që të përqëndrohemi pastaj tek prioritetet e britanikëve”, tha Johnson për të përditshmen Daily Telegraph.
Pasi zhvilloi një vizitë zyrtare te Mbretëresha, Johnson u rikthye në Downing Street, ku lajmëroi zgjedhjet. Sondazhet tregojnë se konservatorët e Johnson janë përpara laburistëve, por ka ndjesia e votuesve është e luhatur.