Nisin bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për Libinë

Zyrtarët ushtarakë nga fraksione rivale në konfliktin e Libisë, kanë nisur bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë, me qëllim të arritjes së armëpushimit pas 10 muajve të luftimit në periferi të kryeqytetit, Tripoli.

I ashtuquajturi “Komisioni i Përbashkët Ushtarak i Libisë” përfshin pesë zyrtarë të lartë të komandantit, Khalifa Haftar dhe pesë zyrtarë të Qeverisë së njohur ndërkombëtarisht në Tripoli.

Haftar ka nisur ofensivë nga muaji prill për të marrë kontrollin e Tripolit.

Si pasojë e këtyre luftimeve janë zhvendosur më shumë se 150,000 persona, pa harruar edhe përfshirjen e fuqive të huaja në to, shkruan Rel.

Bisedimet ushtarake vijnë dy javë pas një samiti ndërkombëtar të mbajtur në Berlin, i cili ishte fokusuar në gjetjen e një zgjidhjeje politike, dhe zbatimin e embargos për armët që është shkelur së fundmi.

Haftar mbështetet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti, Jordania, Rusia dhe Franca, derisa qeveria përkrahet nga Turqia.

Diplomatët kanë thënë se bisedimet e Gjenevës synojnë të ndërtojnë besim dhe të krijojnë një mekanizëm për vëzhgim të armëpushimit.

Këto bisedime janë duke u ndërmjetësuar nga përfaqësuesi special i Kombeve të Bashkuara, Ghassan Salame.

SHKARKO APP