Nisin bisedimet në Vjenë për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore
Palët e mbetura në marrëveshjen bërthamore me Iranin kanë realizuar gjatë të premtes një takim me zyrtarë të Republikës Islamike, në përpjekje për të shpëtuar marrëveshjen e vitit 2015, me gjithë tërheqjen e Shteteve të Bashkuara.
Bisedimet në Vjenë mblodhën bashkë zyrtarë nga Britania, Franca, Gjermania, Kina, Rusia dhe Irani.
Uashingtoni është tërhequr nga marrëveshja vitin e kaluar, me justifikimin se kushtet e saj nuk janë mjaftueshëm të ashpra për të penguar Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.
Për rrjedhojë, SHBA-ja ka rikthyer një varg sanksionesh kundër Iranit, të cilat i janë hequr kur është arritur marrëveshja.
Irani si përgjigje ka nisur të rrisë nivelin e pasurimit të uraniumit. Uraniumi i pasuruar në shkallë të lartë mund të përdoret për krijimin e armës bërthamore. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump përmes presionit të sanksioneve do të detyrojë Iranin që të rinegociojë marrëveshjen e vitit 2015.
Irani refuzon, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor ka plotësisht qëllime paqësore.
Nënshkrueset evropiane të marrëveshjes Britania, Franca dhe Gjermania thonë se marrëveshja duhet të ruhet, por Irani thotë se ato nuk kanë bërë sa duhet për ta mbrojtur ekonominë e tij nga sanksionet e SHBA-së.