Një shtetas italian preket njëherësh nga Covid-19, lija e majmunëve dhe HIV-i
Italia ka regjistruar rastin e parë të një pacienti që është njëkohësisht pozitiv me Covid-19, linë majmunit dhe HIV. Një 36-vjeçar i cili nëntë ditë pas kthimit nga pushimet në Spanjë, shfaqi temperaturë, dhimbje koke, dhimbje fyti, inflamacion në ijë dhe është ndjerë i lodhur.
Gjatë qëndrimit në Spanjë, ai ka kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura me meshkuj. Tre ditë pas fillimit të simptomave, ai u diagnostikua me koronavirus.
Pak orë pas testit pozitiv për Covid 19, italianit iu shfaq skuqje në dorën e majtë. Pas disa ditësh, lija e majmunit u përhap në të gjithë trupin, kështu që ai u shtrua në spitalin e Katanias. Pasi iu nënshtrua analizave të ndryshme, rezultoi pozitiv me linë e majmunit, Covid 19 dhe HIV. Testi negativ i HIV-it që bëri një vit më parë tregon se 36-vjeçari është infektuar me virus vetëm së fundmi.
Pas një jave ai doli nga spitali sepse ishte shëruar nga virusi dhe lija e majmunëve. Studiuesit paralajmëruan se tamponi i fytit të pacientit ishte ende pozitiv pas 20 ditësh, duke treguar se personi ishte ende ngjitës.