Njohja e Jerusalemit e rrezikshme. Ja ç’po ndodh në Lindjen e Mesme
Lajmi i kësaj jave ishte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e njohën Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit duke zhvendosur ambasadën e tyre nga Tel Avivi në Jerusalem. Me këtë veprim, Donald Trump tha se po nderonte demokracinë e Izraelit, duke kërkuar edhe një herë paqe përfundimtare me Palestinën. Por veprimi i tij vetëm sa i acaroi gjakrat. Pse?
Asnjë shtet nuk ka vendosur deri më tani një ambasadë në Jerusalem. Për të kuptuar arsyen, duhet të shkojmë pas në histori. Në vitin 1947 kur Organizata e Kombeve të Bashkuara votoi për të ndarë Palestinën në zonën arabe, atë hebraike dhe ndërkombëtare, Jerusalemi u shpall qytet ndërkombëtar i cili nuk ishte pjesë as i arabëve, as i hebrenjve.
Por në luftën që do të zhvillohej më pas, Izraeli dhe Jordani zaptuan pjesë të Palestinës dhe dy dekada më vonë, më 1967, Izraeli mori drejtimin e Jeruzalemit lindor. Arabëve në këtë zonë iu është dhënë një status i veçantë në lidhje me ndërtimin, politikat demografike etj, por gjithçka është bërë me synimin për ta kthyer Jeruzalemin në kryeqytetin e pandarë të Izraelit.
Vlen për t’u përmendur që gjithmonë shteti izraelit ka pasur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Në marrëveshjen e famshme të Oslos ku kryeministri izraelit Yitzhak Rabin shtrëngoi duart me liderin palestinez Yeasser Arafat nën “bekimin” e Bill Clintonit, statusi i Jerusalemit u la pezull për t’u sqaruar në marrëveshjen përfundimtare që do të bëhej në të ardhmen.
Por historia e Jerusalemit ka qenë gjithnjë e komplikuar, ndërsa zgjidhjet ndërkombëtare vetëm sa e kanë përkeqësuar situatën. Pas konflikteve të vazhdueshme me arabët, qëndrojnë motive fetare. Kjo është edhe arsyeja se përse kjo çështje është aq e delikate. Në periudhën moderne, Jeruzalemi kaloi nga pushtimi i Perandorisë Osmane nën administrimin e Britanisë. Sipas traktatit të Versajës, qyteti u shpall kryeqytet i Mandatit Britaik në Palestinë, gjë që u zhbë pas Luftës së Dytë Botërore kur u shpall qytet nën administrim ndërkombëtar.
Një ditë pas shpalljes së shtetit të ri të Izraelit më 1948, grupet arabe sulmuan Izraelin pasi e konsideronin një shtet tërësisht artificial që po zaptonte territoret e tyre. Prej asaj kohe, në atë rajon nuk ka pasur paqe.
Sipas disa analizave, pozicioni i Shteteve të Bashkuara për Jerusalemin konfirmon diçka që përflitej prej dhjetëra vitesh: Bota arabe është kthyer në rajonin e parë që konsiderohet si i sakrifikueshëm.
Vendet arabe mund të degjenerojnë në luftëra civile, në luftëra fetare, në shkatërrime qytetesh, në recensione ekonomike pasi nuk kanë asnjë ndikim në mirëqenien amerikane. Për SHBA-në çështjet themelore që e lidhin me botën arabe janë siguria e Izraelit, marrëdhëniet tregtare në fushën e energjisë dhe lufta ndaj terrorizmit.
E vërteta është se prej kohësh në tryezën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara ka qëndruar vendimi për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, por duke nisur nga Bill Clinton e deri tek Obama, të gjithë kanë gjetur mënyra për ta shtyrë. Por pse Donald Trump vendosi ta pranojë tani, si rrufe në qiell të hapur, këtë kërkesë? Kjo lidhet tërësisht me një vendim personal, dhe ndoshta me atë që shumë analistë e quajnë si papërgjegjshmëri politike.
A ka rrezik për luftë në Lindjen e Mesme? Sigurisht që grupet arabe do të reagojnë, siç kanë bërë gjithnjë, por nëse marrin mbështetje edhe nga Emiratet e Bashkuara, Kina dhe Rusia, gjërat bëhen më serioze.
KOHA JONË SONDAZH

