Nobelistin Neruda e vrau Pinoçeti? Mjekët: Nuk vdiq nga kanceri
Ende nuk ka një arsye të qartë për vdekjen e poetit Pablo Neruda, por e sigurt është se nuk ishte kanceri ai që e vrau. Këtë e vërteton ekspertiza më e re e një grupi specialistësh që kanë ekzaminuar sërish trupin e poetit kilian, fitues i çmimit Nobel në vitin 1971 dhe që ndërroi jetë dy vite më pas, në moshën 69-vjeçare.
Lajmin e ka bërë të ditur Aurelio Luna nga universiteti spanjoll i Murcias, i cili ka koordinuar punën e 16 mjekëve. “Ndryshe nga çfarë është shkruar në letrat zyrtare, nuk ishte kanceri i prostatës që i mori jetën Nerudës”, tha ai. Kjo tezë mbështetet edhe nga familja e Nerudës, e cila asnjëherë përgjatë këtyre 40 viteve nuk e ka besuar versionin zyrtar, ndërsa ka akuzuar se poeti është helmuar gjatë grushtit të shtetit të gjeneralit Augusto Pinoçeti, që rrëzoi nga pushteti socialistin Salvador Allende, mik i afërt i Nerudës.
“Nuk mund të themi ende me siguri nëse vdekja ka qenë e provokuar apo natyrale, por jemi të sigurt se certifikata zyrtare e vdekjes nuk tregon të vërtetën”, tha Luna.
Në vitin 1973, Pablo Neruda që nuk i kishte fshehur kurrë bindjet e tij të majta, kishte vendosur të largohej në ekzil për të vazhduar denoncimin dhunës së ushtruar nga gjenerali Pinoçet dhe bashkëfajësinë e Shteteve të Bashkuara. Por një grip ndryshoi planet e tij, duke e detyruar që të shtrohej në spitalin e Santiagos.
Sipas dëshmisë së shoferit të tij, Manuel Araya, ishte pikërisht këtu që iu injektua një substancë vdekjeprurëse, duke i marrë jetën. Pra, bëhet fjalë për një vrasje politike sepse Neruda ishte i bezdisshëm për pushtetin e ri.
KOHA JONË SONDAZH

