Nota proteste mes Maqedonisë e Bullgarisë
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë, përmes Ambasadës së Maqedonisë në Sofje, i dërgoi notë proteste Ministrisë bullgare të Punëve të Jashtme në lidhje me videon e eurodeputetit bullgar Angel Xhambaski, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme. Njëkohësisht, nga MPJ-ja thonë se për videon e Xhambaskit do të raportojnë dhe do të reagojnë në përputhje me rrethanat në institucionet e Bashkimin Evropian.
Në videon, e cila është spot parazgjedhor i VMRO-së së Krasimir Karakaçanovit, Xhambaski, ndër të tjera, thotë: “Sa më shumë të bërtisni me gënjeshtrat tuaja, aq më i shpejtë dhe më i tmerrshëm do të jetë fundi juaj. Maqedonia është bullgare dhe Bullgaria është mbi të gjitha. Votoni për VMRO-në”. Xhambaski është gjithashtu nënkryetar i partisë politike VMRO-BND.
“Me këtë rast, vërejmë se deklarata të tilla nuk kontribuojnë në përpjekjet për thellimin e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Retorika që shpreh pretendime territoriale ndaj fqinjëve nuk është e përshtatshme për aleatët e NATO-s dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian, e cila është drejtpërdrejt dhe në kundërshtim me idealet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, për të cilat të dy vendet janë të përkushtuar fuqimisht”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë.
Ndërkohë, një ditë më parë ishte Ambasada e Bullgarisë në Shkup, e cila i dërgoi notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, pasi autoritetet doganore të Maqedonisë në pikën kufitare “Deve Bair” nuk kanë lejuar që në vend të futen 920 libra për kulturën bullgare. Sipas tyre librat duhej të pranoheshin nga Qendra e Informacionit bullgar në vendin tonë.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë tesionuar marrëdhëniet e tyre prej disa muajsh. Nga dhjetori i vitit të kaluar vendi ynë ka veton e Bullgarisë me arsyetimin se Shkupi nuk e respekton Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë. Sofja këmbëngul gjithashtu në njohjen e rrënjëve bullgare të historisë maqedonase, kombësinë dhe gjuhën maqedonase, të cilën autoritetet maqedonase e kanë kundërshtuar, duke thënë se “identiteti dhe gjuha nuk do të negociohen“.