“Nuk ka hequr përmbajtjet e ndaluara”, Rusia kufizon “Twitter”, kërcënon ta ndalojë
Autoritetet ruse bënë të ditur të mërkurën se kanë kufizuar përdorimin e platformës së medias sociale “Twitter”, nën arsyetimin se kompania nuk ka hequr përmbajtjet e ndaluara.
Mbikëqyrësi shtetëror i komunikimeve “Roskomnadzor” tha se nëse “Twitter” nuk zbaton ligjin rus, do të ketë veprime të mëtejshme kundër tij, përfshirë ndalimin e plotë të platformës së medias sociale.
Agjencia tha se masa e ndërmarrë të mërkurën përfshin ngadalësimin e shpejtësisë së shërbimit për të gjithë ata që jetojnë në Rusi, e që kanë qasje në “Twitter” në telefona si dhe për gjysmën e atyre që e përdorin shërbimin në mënyra të tjera.
“Twitter” nuk ka bërë ende asnjë koment lidhur me kufizimet. Kjo është masa më e fundit e ndërmarrë nga Rusia për të forcuar kontrollin në internet. Më parë Moska ndaloi një numër faqesh në internet sikurse “Dailymotion” (një platformë teknologjike franceze për shpërndarje videosh) dhe “LinkedIn” (shërbim në internet i orientuar drejt punësimit me bazë në SHBA).